Mashtrimi, dënohet me 3.5 vjet burg gruaja e ish- futbollistit Fortuzi
Gjykata e Tiranës ka dhënë një dënim me 3.5 vjet burg për bashkëshorten e Indrit Fortuzit, ish- futbollistit të njohur të "Tiranës" dhe Kombëtares.
E pandehura Junida Fortuzi, ish- zotëruese e një agjencie turistike, u deklarua fajtore për akuzën e "mashtrimit më shumë se një herë". Kjo vepër penale dyshohet të jetë kon- sumuar në dhjetor të vitit 2015, kur ajo ka shitur disa bileta avioni, që më pas kanë rezultuar të pavlefshme. Bashkëshortja e futbollistit është gjykuar në mungesë në Gjykatën e Tiranës, pasi masa e sigurisë e caktuar ndaj saj nuk është ekzekutuar.
"Deklarimin fajtore të të pandehurës Junida Fortuzi për kryerjen e veprës penale të ' mashtrimit më shumë se një herë' dhe dënimin e saj me 3 vjet e 6 muaj burgim. Pushimin e gjykimit për të pandehurën Junida Fortuzi e akuzuar për kryerjen e veprës penale të ' mashtrimit me pasoja të rënda', pasi ndjekja penale për këtë vepër nuk duhet të kishte filluar", thuhej në dispozitivin e vendimit të gjykatës. Në të njëjtin vendim gjykata sqaron se vuajtja e këtij dënimi do të nisë nga dita e ekzekutimit të tij.
Procedimi penal ndaj saj nisi pas kallëzimit të një 20- vjeçari, i cili pretendoi se kishte blerë në agjencinë e saj 4 bileta avioni, në vlerën 1200 euro në total, të cilat kane qenë të pavlefshme. Kallëzimi i tij u pasua edhe me disa të tjerë. Nga ana tjetër, para depozitimit të këtij kallëzimi, familja Fortuzi kishte lënë Shqipërinë. Gjatë seancës gjyqësore të paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare përfaqësuesi i akuzës pretendoi se e pandehura i ka konsumuar të dyja veprat penale për të cilat akuzohej. Përfundimisht, prokurori i ka kërkuar trupit gjykues dënimin e të pandehurës me 13 vjet burg.
Nga ana tjetër, përmes avokatëve mbrojtës, e pandehura Fortuzi ka pretenduar se nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe ka kërkuar deklarimin e pafajshëm të klientes. Burime zyrtare pranë gjykatës konfirmuan se vendimi në fjalë është ankimuar në Gjykatën e Apelit edhe nga mbrojtësit, edhe nga prokuroria.
Comments
Post a Comment